Kurti: Nuk i jam ankuar askujt për Grenellin, letra dërguar zv/presidentit amerikan ishte e vjetër

kurti:-nuk-i-jam-ankuar-askujt-per-grenellin,-letra-derguar-zv/presidentit-amerikan-ishte-e-vjeter

Kurti para mediave sot tek oborri i QKUK-së ka thënë se ajo është një letër e vjetër që është shkruar në mesin e muajit të kaluar, shkruan Rahovecnews.net.

Sipas tij, përveç SHBA-ve, letër i është dërguar edhe institucioneve të BE-së.

“Sa i përket letrës me të cilën po merren tash aq shumë njerëzit, ajo nuk është letër e këtij muaji fare, por është një letër që është shkruar diku ka mesi i muajit prill. Në muajt shkurt, mars dhe prill kam shkruar shumë letra të gjithë krerëve institucionalë në SHBA, ashtu si edhe atyre në BE, sepse një ndër detyrat e mia është që të komunikoj me të gjitha qendrat e superfuqive, me të gjitha shtetet mike dhe partnere”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka thënë se në atë letër edhe e ka falënderuar SHBA-në për ndihmën e vazhdueshme që i ka thënë Kosovës.

“Bëhet fjalë për një letër që është gati një muaj e vjetër, nuk është letër e këtyre ditëve. Me atë letër falënderoj SHBA-të për ndihmën e vazhdueshme dhe përkrahjen që na kanë dhënë, ashtu sikur shpreh edhe zotimin tim që do të vazhdoj përkushtimi ynë për marrëdhënie të mira me SHBA-të”.

Kurti po ashtu ka thënë se ai në këtë letër nuk është i ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por se ka shprehur pikëpamjet e tij për dialogun.

“Kam shprehur edhe qëndrimet tona, si qeveri e Kosovës, të mijat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike përfshirë dialogun. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mija për këtë dialog, se si duhet të jetë parimor. Për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë, për mua si politikan se çka bëj e çka them, i kam shprehur qëndrimet e mija që mos të ketë keqkuptime”, tha Kurti ./Rahovecnews.net/