​PDK kërkon dorëheqjen e ministrave Vitia dhe Sveçla

​pdk-kerkon-doreheqjen-e-ministrave-vitia-dhe-svecla

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismajli në një konferencë për media tha se vdekja e të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve, e cila po përdoret si karantinë nuk duhet të heshtet dhe të fshihet. Për këtë kërkoi hetim të plotë nga organet kompetente.

“Vdekja e Agonit assesi nuk duhet të heshtet dhe nuk duhet të fshihet. Ky rast duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë, urgjentisht dhe plotësisht. Të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari sa më parë. Agoni ishte në përkujdesjen e shtetit, këtu nuk ka dilemë. Të gjithë ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre krijuan kushte që ky i ri t’i japë fund jetës në karantinë. Duhet të japin përgjegjësi duke qenë se i ndjeri ishte në përkujdesjen e institucionet shtetërore”, tha Ismaili.

Sipas tij, tendencat për shfajësim të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Shëndetësisë janë rëndim i situatës për familjen e të ndjerit dhe vetë Kosovës.

“Tendencat për shfajësim me arsyetimit për t’i ikur përgjegjësisë janë rëndim i mëtutjeshëm për familjen, ofendim i dhimbjes së tyre dhe dështim për Kosovën. Kjo nuk guxon të ndodhë. Sot më e pakta që duhej të ndodhte është dorëheqja e ministrave Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia, si një akt moral. Kjo konsiderohet domosdoshmëri dhe nuk ka hamendje”, tha ai.

Krahas kësaj, Ismaili tha se nuk po bëhet trajtimi i barabartë në qendrën e vendosur si karantinë, pasi sipas tij, ata që kanë afërsi me pushtetit po iu lejohet dalja nga aty.

I pyetur nëse do të dorëhiqej sikur të ishte në pozitën e Arben Vitisë, Ismaili tha se pa dyshim do ta bënte një gjë të tillë.

Ndryshe, Agon Musliu ka vdekur dje pasi kërceu nga kati i pestë i Qendrës së Studentëve, e cila shërben si karantinë, pasi më herët kishte kërkuar të vetizolohej për shkak të problemeve shëndetësore, por një gjë e tillë ishte refuzuar. /KosovaPress/