Covid i merr jetën publicistit të njohur shqiptar në Nju Jork

covid-i-merr-jeten-publicistit-te-njohur-shqiptar-ne-nju-jork

 

Mbrëmë në Nju Jork është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare Prof.Dr. Ilir Hashorva. Sipas postimeve të familjarëve në Facebook, përkthyesi dhe publicisti i njohur ishte prekur prej Covid 19. “Mbreme ne New York, ndahet nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej semundjes Covid-19, nje Intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, nje person fisnik qe gezonte respektin ne gjithe rrethin shoqeror e me gjere. Duke lene pas te shoqen, Linden dhe dy femijet Dritanin dhe Enin,si edhe motren e tij Dr. Hysnije Shtylla” – shkruan në profilin e tij në FB, kunati i të ndjerit, Mehmet Shtylla.
Familja Hashorva kishte emigruar në New York të SHBA-ve në fillim të viteve 2000.
Iliri rridhte nga një familje Gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar.
Në vitin 1920 Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend.
Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet 30 deri në ato 50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e “grupit social-demokrat”. Profesor Aliu e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.
Iliri ka lindur më 1 Tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si Shef i Laboratorit të këtij instituti.
Vitet e fundit ai është marrë me publicistikë, ka botuar artikuj dhe përkthime në mediat e Tiranës, disa prej të cilave në DITA.