Dushku pjesë e takimit të dytë në FIBA Europë

dushku-pjese-e-takimit-te-dyte-ne-fiba-europe

Dushku tregon se çfarë u bisedua në këtë videokonferencë

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku të martën ka marrë pjesë nëTakimin e Dytë të FIBA Europe Youth Commission (Komisionit të të Rinjve).

Në fakt ky takim ishte paraparë të mbahej në Munih, por për shkak të pandemisë COVID-19 është anuluar ky udhëtim (si të gjitha të tjerat në Evropë dhe Botë), dhe në këtë mënyrë FIBA Europe e ka organizuar videonkonferencën, ku pjesëmarrës ishin të gjithë anëtarët e këtij Komisioni, si dhe Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel dhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak.

Ky Komision është njëri ndër më të rëndësishmit të FIBA Evropës dhe grumbullohet çdo tre muaj për të diskutuar për zhvillimin e basketbollit ndër gjenerata të reja, duke përfshirë këtu edhe projektet në zhvillim e sipër dhe ato të rejat.

“Në këtë takim së pari u njoftuam nga numri një i FIBA Evropës, Turgay Demirel se ky institucion është duke punuar pandërprerë për të kthyer basketbollin në fushat e lojës me të përfunduar pandemia, por edhe për mënyrën se si do të kthehemi në fushat e lojës. Demirel po ashtu premtoi se FIBA Evropa do të qëndrojë afër Federatave Nacionale për t’ju ndihmuar atyre që të rimëkëmben pas përfundimit të pandemisë. Ai tha se është më se e qartë se, kjo është një kohë e vështirë për të gjithë ne, por shtoi se të bashkuar mund t’ia dalim.”, deklaroi ndër tjerash Dushku.

Ajo deklaroi se u diskutua edhe për anulimet e FIBA Kampionateve Evropiane.

“Ndërkaq sa i përket rrjedhës së takimit në vazhdim u diskutua për anulimet e FIBA Kampionateve Evropiane, të cilat kanë qenë në program të organizohen gjatë kësaj vere, duke përfshirë edhe atë në Prishtinë. Ne si Komision e kemi mbështet fuqishëm këtë vendim të Bordit të FIBA Evropës, por në të njëjtën kohë edhe e kemi përgëzuar këtë Bord për vendimin e marrë që të vazhdohet mbështetja në projektet për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, pjesë e të cilave është edhe Kosova. Është prezantuar për herë të parë para Komisionit projekti për edukimin e trajnerëve të Mini-Basketbollit nga FIBA Europe, që ishte një projekt shumë i mirë, por edhe shumë i mirëseardhur për FBK-në, pasi që ne jemi në përgatitje e sipër që këtë vit të fillojmë me projektin e Mini-Basketbollit në Kosovë. Në fund u diskutua edhe për mënyrën se si do të kthehemi në fushën e lojës, pra për mënyrën e stërvitjeve, me të përfunduar pandemia, ndërsa disa Federata tashmë kishin përgatitur Udhëzues për një gjë të tillë dhe u dakordua që t’ia propozojnë FIBA Evropës dhe kjo e fundit më pas të bëjë një përmbledhje të këtyre Udhëzuesve në një të vetëm dhe t’ua përcjellë Federatave Nacionale. Shikuar në tërësi takimi ishte mjaft i frytshëm dhe tani na mbetet që ne si Komision t’i kryejmë detyrat tona dhe të përgatitemi për takimin e radhës që pritet të mbahet në muajin tetor”, deklaroi ajo.

The post Dushku pjesë e takimit të dytë në FIBA Europë appeared first on RTV21.